Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti dje Osnat Lubranin, koordinatore për zhvillim e OKB-së dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.
Lubrani uroi Presidenten Jahjaga për detyrën e re, duke u shprehur e bindur se ajo do t’ia dalë t’i kryejë me sukses të gjitha obligimet që i dalin përpara.
Në këtë kuadër ajo i ofroi Presidentes Jahjaga mbështetjen e plotë të saj dhe të institucioneve që përfaqëson. Ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e vendit dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Presidentja Jahjaga, sipas njoftimit nga Presidenca, theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për ndihmë për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve, si dhe koordinimin e aktiviteteve të donatorëve.
Gjithashtu, ajo theksoi synimin e përhershëm të popullit dhe të institucioneve të vendit për anëtarësim në iniciativat rajonale, në institucionet ndërkombëtare, si dhe që sa më shpejt Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.