Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 14:22

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të enjten ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Kroacia janë dy vende mike, që kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat, marrëdhënie këto që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke u intensifikuar edhe më tej.

Ajo theksoi ndihmën që Kroacia i ka dhënë deri tash vendit tonë dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë, sidomos në planin e sigurimit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e saj në shumë iniciativa rajonale, e sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike, ku Kosova mund të përfitojë shumë nga eksperienca e Kroacisë në këtë fushë.

Nga ana e tij, ambasadori Vodopija i përcolli Presidentes Jahjaga urimet e Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq, dhe theksoi se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në vazhdimësi Kosovën dhe të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin shumë të mirë që kanë të dy shtetet në shumë fusha.