Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:43

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur familjen e profesorit të ndjerë Fehmi Aganit, i vrarë nga forcat serbe në maj të vitit 1999, me ç’rast ua dorëzoi Urdhrin “Hero i Kosovës”, me të cilin Aganin e kishte dekoruar presidenti Ibrahim Rugova. 
Jahjaga ka thënë se profesor Agani do të vazhdojë të jetë frymëzim për gjenerata, që të krijojnë vepra të mëdha në shkencë, kulturë, politikë dhe atdhetari. 
“Historia jonë e re ka qenë shumë herë tragjike, si popull në tërësi, e veçmas për shumë individë dhe familje të spikatura. Por, historia jonë më e re është histori e triumfit të lirisë e pavarësisë mbi shtypjen dhe nënshtrimin. Për këtë ka merita qenësore profesori i shquar, Fehmi Agani, të cilin sot e nderojmë me Urdhrin “Hero i Kosovës”, ka thënë Jahjaga. 
Duke e falënderuar presidenten për dekoratën, bashkëshortja e profesor Aganit, Sadije Agani ka thënë se është një nder i madh për të dhe familjen Agani, që këtë dekoratë e marrin nga presidentja e parë e Kosovës, njofton Zyra e informacionit pranë Presidencës së Kosovës.