Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 13:57

Prishtinë – Ambasadori i Francës në Kosovë, Zhan Fransua-Fitua, ka deklaruar se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës do të përfundojë atëherë kur politika kosovare do të jetë e gatshme për një gjë të tillë.
Ai këto komente i bëri të shtunën gjatë një ceremonie të organizuar nga Shoqata e profesorëve të Frëngjishtes në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Aleancën Franceze, ku i ndau disa diploma për disa nxënës të shkollave fillore të Kosovës, pjesëmarrës të provimit në gjuhën franceze “Delf”.
Diplomati francez ka theksuar se kosovarët duhet të vendosin vetë për ndryshimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë kur ata do të konsiderojnë se ndërkombëtarët janë të panevojshëm.
“Është koha, në qoftë se njerëzit mendojnë që është koha, nuk është punë e imja është koha e politikanëve kosovarë dhe e popullit të Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se në qoftë se është e nevojshme një ndryshim i tillë. Këtë mund ta bëjnë nuk është punë e imja të them në qoftë se është apo nuk është”, ka thënë Fitu.
Ndërsa, për ndryshimet kushtetuese të cilat kanë filluar të bëhen në Kosovë, diplomati francez ka thënë se Kosova si një shtet i pavarur mund të bëjë ndryshime të cilat janë legale dhe në pajtim të partive politike.
“Mendimi im është se Kosova është një shtet i pavarur, është një pajtim i plotë në mes të partive në Kosovë, sepse për të përmirësuar dhe ndryshuar Kushtetutën është një punë e cila ka filluar dhe po bëhet në mënyrë legale, dhe në mënyrë profesionale dhe është e udhës që të shpresojmë se do të jetë diçka e mirë”, ka thënë ambasadori i Francës, Zhan Fransua-Fitu.
Ambasadori francez shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar nëse kosovarët kërkojnë ndihmë nga Franca në procesin e këtyre ndryshimeve kushtetuese.