Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 12:29

Prishtinë – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, të cilit i kanë mbetur edhe dy javë në Kosovë, e ka bërë të qartë se pavarësisë së mbikëqyrur shumë shpejt do t’i vijë fundi dhe se veriu i vendit do të jetë pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një ligjërate në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të nxënësve për ndryshimet kushtetuese, bisedimet me Serbinë, liberalizimin e vizave e tjera.

Pasi ka mbajtur një ligjëratë, ku u ka kërkuar nxënësve që si gjeneratë e re, të jenë mbështetës të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe pajtimit me Serbinë, Feith nuk ka kaluar lehtë nga pyetjet e shumta të nxënësve, të cilët kanë kërkuar mes tjerash të dinë më shumë për veriun e vendit.

Por Feith ka thënë qartë se veriu do të mbetet në Republikën e Kosovës dhe për këtë ai ka thënë se është duke u punuar nga të gjithë mekanizmat.

“Jemi duke punuar shumë ngushtë me Qeverinë që të arrijmë deri te qytetarët e veriut, të punojmë me ta dhe jam i bindur se do të arrijmë progres, qoftë përmes dialogut, qoftë përmes mjeteve tjera”, ka thënë Feith.

Ai ka theksuar se ndërkombëtarët nuk duhet të rrinë në Kosovë asnjë minutë më shumë se që është nevoja dhe se rolit të tij si mbikëqyrës i pavarësisë do t’i vijë fundi shumë shpejt.

“Rolit tim si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar është duke i ardhur fundi ngadalë. Shpresoj se do të kem rastin të vij sërish në mesin tuaj, por jo fort larg nga kjo ditë, mandatin si mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës do të marrë fund dhe mendoj se kjo është gjëra e duhur për ta bërë, sepse mendoj se ndërkombëtarët nuk duhet të rrinë në Kosovë, asnjë minutë më gjatë sesa që është e nevojshme. Kosova është e juaja, ajo nuk i përket bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, unë jam i gatshëm të vazhdoj të mbështes dhe ndihmoj institucionet, por ju siguroj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur do t’i vijë fundi shumë shpejt”, ka thënë Feith.

Gjimnazistët ishin të interesuar edhe rreth shumë cështjeve të tjera, duke kërkuar të dinë pse Kosova nuk mund të vetëvendosë.

“Ju keni vetëvendosje, keni pasur zgjedhje, qytetarët mund ta shprehin lirisht mendimin dhe vullnetin e tyre, keni qeveri të re, presidente të re. Çka kërkoni më tepër? Keni ministrin më të mirë të arsimit”, ka thënë Feith.

Lavdërimet nga ana e Feithit, duket se e kanë motivuar edhe më shumë ministrin e Arsimit, Ramë Buja, i cili pasi ka lavdëruar gjimnazin “Sami Frashëri” si më të mirin në Kosovë, ka thënë se në fokus të tij do të jetë ngritja e cilësisë në të gjitha shkollat.

Ai ka vlerësuar lart ligjëratën e Feithit, ndërkaq ka përcjellë një porosi te nxënësit e kësaj shkolle.