Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 05:26

Prishtinë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell, në takimin e djeshëm me zv/kryeministren Edita Tahiri, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen amerikane për Kosovën, duke thënë se Kosova mbetet një vend mik dhe partner serioz i SHBA-ve. Ai çmoi lartë përpjekjen serioze të Qeverisë së re të Kosovës për të shënuar rezultate konkrete në reformat ekonomike, në sundimin e ligjit dhe po ashtu në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë nacionale.

Ambasadori Dell rikonfirmoi qëndrimin e SHBA-vë se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti shtetëror i Kosovës janë çështje të mbyllura. Ai shtoi se do të vazhdojë përkrahja aktive e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, bën të ditur zyra e shtypit e Qeverisë së Kosovës.

Zv/kryeministrja Tahiri falënderoi ambasadorin Dell dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit të pavarur të Kosovës, duke theksuar se aleanca strategjike me SHBA-të është një prioritet i lartë i Republikës së Kosovës.

Znj. Tahiri falënderoi SHBA-të për mbështetjen në dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Qeveria e Kosovës në këtë dialog është shumë e përkushtuar me qëllim që të arrihen rezultate pozitive në dobi të qytetarëve dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe të afrimit të Kosovës me BE-në.