Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 10:58

Prishtinë – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në një telegram urimi drejtuar Hashim Thaçit me rastin e rizgjedhjes si kryeministër i Republikës së Kosovës, thekson se SHBA do të mbështesin përpjekjet e Kosovës drejt përmbushjes së aspiratave euro-atlantike.
“Ju inkurajoj juve dhe kabinetin tuaj të ri që të shtyni përpara dhe në mënyrë të shpejtë avancimin e një axhende të qëndrueshme dhe efektive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, integrimin e pakicave në Kosovës dhe ndjekjen e reformave, të cilat do ta çojnë vendin tuaj drejt përmbushjes së aspiratave euro-atlantike”, theksohet në telegram, sipas njoftimit të sapo dhënë nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës.
Në të vlerësohet se “angazhimi juaj konstruktiv në dialogun e ndihmuar nga BE-ja do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim”. 
Sekretarja amerikane e Shtetit,  Clinton, përshëndet progresin që Kosova ka shënuar në tre vjetët e parë të pavarësisë dhe mirëpret partneritetin përherë e më të ngushtë dhe më të thellë në vitet e ardhshme. 
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të realizuar të drejtat dhe përgjegjësitë e saj si anëtare sovrane dhe e pavarur e bashkësisë ndërkombëtare”, përfundon telegrami i Sekretares amerikane të Shtetit  Hillary Clinton, dërguar kryeministrit kosovar Hashim Thaçi.