Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:25

Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të platformës për bisedimet me Serbinë, se nuk kërkesa për reciprocitet nga Beogradi dhe se nuk ka një afat të caktuar për përfundimin e këtyre bisedimeve.

Por, kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar kohë dhe hapësirë legale për të sqaruar dhe prezantuar në mënyrë të zgjeruar platformën e bisedimeve, e cila mbështetet në rezolutën e Kuvendit të Kosovës.
“Nëse më jepet kohë, unë do ta prezantoj platformën e Qeverisë, e cila rrjedh nga rezoluta e Kuvendit, që i keni dhënë mandat Qeverisë. Por nuk mund të thuhet se Kosova nuk di çka do. Kosova e di shumë mirë se çka kërkon në këto takime. Se a do të fitojë Kosova apo Serbia, një gjë është e sigurt; edhe Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se është i befasuar me qëndrimin e LDK-së, ngase ka thënë se ka dëgjuar që edhe vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e përkrah dialogun me Serbinë.
Por, ai ka theksuar se takimet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk i ka filluar ai dhe nuk ka nisur dialogu me Serbinë me këtë qeveri, por ka pasur përgatitje për këtë proces që nga mandati i kaluar i koalicionit PDK-LDK.
Thaçi ka theksuar se në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që Kuvendi të mbajë takime të mbyllura para qytetarëve të vendit, ngase Qeveria e Kosovës nuk ka asgjë për të fshehur.