Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 17:14

Prishtinë – Nesër në Bruksel nis raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë-Beograd, ku do të takohen delegacionet e udhëheqaura nga Edita Tahiri, zv.kryeminsitre e Kosovës dhe Borko Stefanoviq, udhëheqës i delegacionit serb.

Në një prononcim për radion B92, udhëheqësja e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, i ka përjashtuar në çfarëdo forme temat rreth statusit politik të Kosovës.

Ajo ka thënë se do të flitet për energjinë dhe target e automjeteve, por jo edhe për statusin politik të Kosovës e as për pjesëmarrjen e mundshme të serbëve në delegacionin e Kosovës.

Nëse do të ketë ose jo serbë në delegacionin e Kosovës, Tahiri, ka thënë se bisedimet për gjetjen e zgjidhjeve për çështje praktike që e rëndojnë jetën përditshme të qytetarëve që nga përfundimi i luftës, nuk iu përkasin pakicave.

“Kërkesa e BE-së është e qartë. Dialogu teknik duhet të jetë konstruktiv, por duhet të ketë edhe rezultate konkrete. Ndërsa, Kosova dhe Serbia nga BE-ja do të vlerësohen si për nga konstruktiviteti, si dhe niveli i kreativitetit për gjetjen e zgjidhjeve të reja”, ka thënë Edita Tahiri.