Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 17:22

Prishtinë – Austria do të vazhdojë të asistojë progresin e Kosovës drejt integrimit në Evropë, theksohet në një urim të Presidentit të Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zyra e shtypit e Presidencës kosovare bën të ditur se urimin Presidentes Jahjaga ia dorëzoi sot gjatë një takimi ambasadori i Republikës së Austrisë në Republikën e Kosovës, Johann Brieger.
“Me kënaqësi të madhe ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, thuhet në urim dhe shtohet se “zgjedhja e një femre në postin më të lartë shtetëror dërgon një sinjal, i cili pa dyshim do të inspirojë shumë femra në rajon”.
“Siç e dini, Austria ka qenë një mbështetës i fuqishëm i shtetësisë së Kosovës dhe jam i sigurt që marrëdhëniet dypalëshe do të përforcohen edhe më shumë në vitet e ardhshme. Më lejoni t’ju siguroj që Austria do të vazhdojë ta asistojë progresin e Kosovës drejt integrimit në Evropë”, theksohet në urim.