Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 17:31

Prishtinë – Catherine Ashdaun, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, përshëndeti sot vendimin e Këshillit për emërimin e Fernando Gentilinit si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë deri më 31 korrik 2011, njoftohet nga zyra e EUSR në Prishtinë.
“Jam shumë e kënaqur që Këshilli, në bazë të rekomandimit tim, ka emëruar Fernando Gentilinin si Përfaqësues Special të BE-së në Kosovë”, tha ajo.
“Fernando Gentilini e njeh shumë mirë Ballkanin Perëndimor e veçanërisht Kosovën, dhe unë pres të bashkëpunoj shumë të ngushtë me të”, shtoi Ashton dhe shtoi se “në pozitën e tij të përkohshme, ai do të bëjë përgatitjet për një prani të fuqishme dhe afatgjate të BE-së në Kosovë, në përputhje me Traktatin e Lisbonës dhe me perspektivën evropiane të tërë rajonit”.
“Unë po ashtu dua të falënderojë ngrohtësisht Përfaqësuesin e mëparshëm Special, Pieter Feith, për përkushtimin dhe punën e shkëlqyeshme gjatë gjithë mandatit të tij”, përfundon deklarata e Ashdaun.