Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 21:10

Prishtinë – Pavarësisht premtimit të autoriteteve vendore, punëtorët e sektorit publik nuk do t’i marrin rritje retroaktive të pagave për muajin janar dhe shkurt të këtij viti. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha sot se pagat do të vazhdojnë të jepen me rritje, duke mos folur për dy muajt e parë të vitit.

Nuk do të ketë pagesë retroaktive për muajin janar dhe shkurt. Ministri i financave, Bedri Hamza, më një shkurt të këtij viti kishte deklaruar se pagat e janarit për punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit do të jenë vetëm paradhënie, që do të plotësohen me rritje prej 30 deri në 50 për qind rastin e miratimit të buxhetit.

“Ritheksoj, është paradhënie, e cila do të plotësohet në mënyrë retroaktive me rastin e aprovimit të ligjit të buxhetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.

I pyetur nga gazetarët rreth premtimeve të mëhershme, ministri Hamza tha se nuk deshi të flasë për muajt e parë të vitit, por theksoi se pagat do të vazhdojnë të jepen me rritje.

“Nuk kam dëgjuar që ka pasur premtime. Ligji i buxhetit është aprovuar në fund të muajit mars. Unë personalisht kam dalë dhe kam thënë se do të ndodhë rritja e pagave dhe jam i lumtur, shumë jam i lumtur që ka ndodhë rritja e pagave, nuk ka qenë e lehtë. Saktë pagat do të vazhdojnë të jepen me rritje”.

Ministri i financave, Bedri Hamza tha se me misionin e FMN-së ka pasur harmonizim të qëndrimeve për pjesën më të madhe të buxhetit të vitit 2011.

Ministri Hamza tha se gjatë periudhës tremujore Dogana ka realizuar 203 milionë euro të hyra, me një rritje prej 19 për qind krahasuar me periudhën paraprake. Kurse ATK-ja ka mbledhur rreth 149 milionë euro, me rritje prej 18 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë. Të hyrat e përgjithshme sivjet parashihet të jetë 1 miliard e 263 milionë, kurse shpenzimet 1 miliard e 345 milionë euro.