Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 16:14

Prishtinë – Me rastin e 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, Departamenti i Mjekësisë ligjore dhe Muzeu i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për dorëzimin e dhjetë seteve të para të rrobave dhe artefakteve të të pagjeturve nga morgu i Prishtinës në Muzeun e Kosovës, si dhe është shpalosur programi i aktiviteteve për shënimin e kësaj dite. Këto sete do të prezantohen në kuadër të ekspozitës “Identiteti i mbajtur peng” që do të mbahet më 27 prill.

Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë se këto sete do të ruhen në mënyrë dinjitoze.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të mjekësisë ligjore, ka bërë të ditur se dorëzimi i këtyre rrobave është e mostra e parë, e cila do të ekspozohet për ditën e 27 prillit në qendër të qytetit.

Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, theksoi se historia më e re e Kosovës do të prezantohet në formën e duhur.

Ai tha po ashtu se fillimisht do të restaurohen dhe konservohen në formën e duhur dhe këto sete do të prezantohen në kuadër të ekspozitës së 27 prillit.

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, është shprehur e emocionuar duke thënë se janë ato që i kanë hequr rrobat nga arkivolet dhe kjo është dashur të bëhet më herët.

Në emër të Këshillit koordinues për të pagjeturit, Haki Kosumi, ka bërë të ditur se aktivitetet me rastin e 27 prillit do të përqendrohen në Mitrovicë dhe Prishtinë, ku do të mbahet edhe një akademi përkujtimore, do të shfaqet një film dokumentar dhe do të bëhet hapja e ekspozitës.