Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 19:00

Prishtinë – Naser Sekiraqa, vëllai i të shumë kërkuarit Enver Sekiraqa, është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës në lidhje me një tentim vrasje që ka ndodhur në qershor të këtij viti në Vranjevc të Prishtinës.

I dyshuari Sekiraqa, tre muaj pasi ishte shpallur në kërkim të organeve të rendit, ka vendosur që të dorëzohet dhe të marrë dënimin që i takon.

Lajmin për vetëdorëzimin e Naserit e ka konfirmuar për Indeksonline edhe Policia e Kosovës.

Flora Ahmeti, zëdhënës e policisë rajonale, ka thënë se arrestimi ka ndodhur me datën 10 të këtij muaji, ndërsa i njëjti do të gjykohet për një vrasje në tentative që ka ndodhur me 14 qershor në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.

Ajo tha se i dyshuari menjëherë është dërguar në prokurori, ndërsa të njëjtit i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Në anën tjetër, sot mediat në vend raportojnë se i shumë kërkuari Enver Sekiraqa i shplallur në kërkim edhe nga Interpoli, po bënë plan që të marrë rrugën e të vëllait, të vetëdorëzohet në polici.

Por ndryshe nga Naseri, Enveri mendon se më mirë është të vetëdorëzohet tek EULEX-i, pasi që Policisë së Kosovës nuk i beson më. (LajmeShqip.com)