Prishtinë – Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në opozitë, Melihate Tërmkolli, e ka kritikuar të shtunën procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
“Regjistrim mbi baza etnike dhe decentralizimin”, e ka quajtur ajo gjithë atë që ka ndodhë në këto dy javë në Kosovë, me këtë proces, të vlerësuar si më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.
Ajo e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për joseriozitet në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe për anashkalim të shumë çështjeve jetike në këtë proces.
Tërmkolli ka thënë se një prej lëshime të mëdha në regjistrimin e popullsisë është mosevidentimi si shtetas të Kosovës i të gjithë fëmijëve të lindur jashtë vendit.
Gjithashtu, sipas saj, në këtë proces më të favorizuar kanë qenë pjesëtarët e pakicës serbe sesa vetë shqiptarët që janë shumicë në Republikën e Kosovës.
Vetë shtyrja edhe për disa ditë e këtij procesi ka ndodhë “për hatër” të serbëve, tha ajo.
Tërmkolli tha se procesi i regjistrimit të popullisë në Kosovë, është një prej dështimeve më të mëdha të kësaj qeverie.