Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:22

Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përshëndetur të enjten lirimin e sekretarit organizativ të partisë dhe kryetarit të Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi.
Në një komunikatë të lëshuar nga AAK, thuhet se AAK e çmon lartë vendosmërinë e Kuçit në mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me bindjen se të gjithë pjesëtarët e saj janë të pafajshëm dhe kjo do të vërtetohet edhe nga drejtësia vendore e ndërkombëtare.
“AAK falënderon të gjithë qytetarët e Suharekës dhe të mbarë vendit, strukturat e partisë dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët për kurajën e vazhdueshme në mbështetje të z. Kuçi, gjatë gjithë këtyre ditëve të mungesës së padrejtë të tij në krye të përgjegjësive, në qeverisjen lokale dhe në udhëheqjen e AAK-së.
AAK dhe strukturat e partisë, ia urojnë lirimin e tij z. Kuçi, me bindjen se fuqishëm do ta vazhdojë punën dhe kontributin e tij aty ku e ndalën padrejtësisht, në udhëheqjen suksesshme të Komunës së Suharekës dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të Aleancës”, thuhet në komunikatë.