Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 18:04

Prishtinë – Me gjithë kërkesën e palës mbrojtëse që rasti i gjashtë zyrtarëve komunalë të Prishtinës, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të kalojë nga duart e vendorëve tek ato të EULEX-it, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore të dyshuarve Gjykata e Qarkut në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit me nga 30 ditë, me arsyetimin se ata mund të ndikojnë te dëshmitarët.

Bajram Tmava, avokat i Ridvan Shahinit, që është njëri nga gjashtë të dyshuarit për keqpërdorim, ka thënë se gjykata ka marrë vendim aktvendim me të cilin e ka caktuar masën e paraburgimit ndaj gjashtë të arrestuarve.Ai tha se dëshmitarët të cilët janë propozuar në aktvendim janë punëtorë të ndërmarrjes “Çlirimi”, e cila kishte fituar tenderin për mbulimin e lumit Prishtevka, por sipas tij lidhur me këtë nuk është paraqitur asnjë provë e bazuar.

Ndërkaq lidhur me kërkesën e palës mbrojtëse që procedurën gjyqësore ta udhëheqë EULEX-i, avokati Tmava ka thënë se nuk i ka përkrahur askush.

Edhe Ramë Gashi, avokat i Ekrem Rexhës, u shpreh i pakënaqur me vendimin e trupit gjykues për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve duke thënë se gjykata ka mundur të veprojë ndryshe.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar të martën Ridvan Shahinin, drejtor i Infrastrukturës Rrugore, Ekrem Rexhën, shef i Zyrës së Prokurimit, Qazim Bajramin, kryesues i organit mbikëqyrës i projektit dhe zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Refik Sadikun, kryetar i organit mbikëqyrës, e po ashtu zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hazir Krasniqi dhe Halil Fejziu, anëtarë të organit mbikëqyrës dhe zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale keqpërdorimin të detyrës zyrtare, lidhur me një tender i cili ka pasur të bëjë me mbulimin e lumit Prishtevka.

Sipas policisë, gjatë zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes së fakteve, dyshohet se vlera e keqpërdorur arrin shumën prej qindra mijëra euro.