Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:13

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim 46 diplomatë të rinj të Republikës së Turqisë, të cilët po vizitojnë Kosovën.

Ministri Hoxhaj, gjatë bisedës miqësore me diplomatët turq, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan dhe disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, i ka informuar ata me zhvillimet kryesore politike dhe diplomatike në Republikën e Kosovës, proceset reformuese brenda vendit dhe perspektivat integruese të shtetit më të ri në Ballkan, në strukturat euroatlantike.

Ai i ka njoftuar përfaqësuesit e gjeneratës së re të diplomacisë turke edhe me prioritetet kryesore dhe strategjitë e politikës së jashtme të Kosovës, e cila, siç u shpreh ministri, ka për synim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve integruese të shtetit në BE dhe NATO dhe avancimin e marrëdhënieve miqësore me shtetet e rajonit dhe me gjerë.

“Duke pasur parasysh këto raporte mes dy shteteve tona, ne jemi të interesuar që mes Kosovës dhe Turqisë të ketë thellim të marrëdhënieve jo vetëm mes institucioneve të të dyja vendeve, por edhe të rritjen e vazhdueshme të kontakteve dhe marrëdhënieve të gjithanshme mes qytetarëve dhe dy popujve tanë”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, në interesimin e diplomatëve turq për ndihmën që ka dhënë dhe që pritet të japë diplomacia turke në procesin e  lobimit për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, Ministri Hoxhaj, ka çmuar lartë kontributin e deritashëm të Turqisë në këtë drejtim.

“Udhëheqësit më të lartë të Republikës së Turqisë kanë ndihmuar shumë në njohjen e Kosovës nga disa shtete të cilat tashmë e kanë njohur Republikën tonë dhe po angazhohen fuqishëm në rritjen e numrit të shteteve që do të marrin një vendim të tillë, në të ardhmen e  afërt”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ndërsa, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, ka falënderuar përzemërsisht Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj për pritjen miqësore, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të diplomacisë dhe shtetit turk për të ndihmuar Kosovën në të gjitha aspekte e nevojshme.