Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 19:48

Prishtinë – Policia e Kosovës ka njoftuar se 21 persona janë lënduar, 15 policë dhe gjashtë protestues, gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje para ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vizitës së shefit të ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq në Kosovë.

Sipas policies, në protestë morën pjesë rreth 400 persona, një pjesë e të cilëve, 50 deri në 60 protestues, kanë qenë të dhunshëm dhe kanë përdorë mjete të forta, ngjyrë, gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, duke shkaktuar dëme materiale.
Si pasojë e këtyre veprimeve, 15 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, prej tyre dy janë lënduar rëndë dhe janë nën kujdesin mjekësor.
Në anën tjetër, sipas QKUK-së, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore, pesë prej të cilëve janë liruar pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, ndërsa një është ende duke u trajtuar.
Veprime të tilla të dhunshme kanë vazhduar edhe para objektit të qeverisë dhe parlamentit dhe si rrjedhojë një numër i xhamave janë thyer nga hedhja e mjeteve të forta dhe gurëve.
Policia për të parandaluar veprimet e tilla dhe pasojat nga këto veprime është dashur ta përdorë gazin lotsjellës dhe ndërkohë ka arrestuar dy protestues.
Aktualisht disa persona po vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë dhe Parlamentit, ndërkaq policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta kontrolluar situatën, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.