Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 14:55

Prishtinë – Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, njësia në Prishtinë, ka bërë arrestimin e 16 personave, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale, mundësim prostitucioni, të dënueshme sipas Nenit 201 të Kodit Penal të Kosovës.

Kohë më parë,  zyrtarët policorë të kësaj drejtorie kanë  pranuar një informatë për disa persona, për të cilët dyshohej së merreshin me ketë veprimtari të paligjshme, dhe më 24 dhe 25 gusht 2011 kanë organizuar dhe realizuar një plan policor të koduar “Doktoratura”, që ka rezultuar me arrestimin e 16 personave të dyshuar.

Te gjithë të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, të gjinisë mashkullore, dhe janë të moshës madhore.

Ky plan policor është realizuar në qytetin e Prishtinës, konkretisht në lagjen Ulpiana, zonë në të cilin dyshohet se është kryer edhe vepra penale.

Personat e arrestuar dyshohet se kanë  shfrytëzuar femra për shërbime seksuale, gjithashtu, dhe kanë aranzhuar edhe takime me personat tjerë, duke mundësuar prostitucionin.

Hetimet dhe operacioni policor lidhur më ketë rast janë kryer nën mbikëqyrjen dhe autorizimin e prokurorit përkatës, ku me autorizimin e tij, personat e ndaluar janë dërguar në qendrën e mbajtjes në ndalim policor për 48 orë. (LajmeShqip.com)