Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 16:39

Prishtinë – Lëvizja FOL ka publikuar pesë deklaratat e vlerësuara nga matësi i së vërtetës.

Pretendimi i Kryeministrit Thaçi se mediet në Kosovë janë më të lirat në rajon është vlerësuar si i pavërtetë, duke iu referuar raporteve të Freedom House për 2009 dhe 2010, që e nxjerrin Kosovën më së keqi në rajon.

Gjithashtu, Thaçi kishte premtuar heqjen e TVSH-së për mediet nga janari i 2011, por FOL e vlerëson edhe këtë premtim si të pambajtur, meqë mediet ende vazhdojnë të paguajnë TVSH-në.
Matësi i së vërtetës është marrë me deklaratën e Isa Mustafës, kur kishte thënë se “Thaçit kurrë nuk do t’ia shtrijë dorën”.

Kjo deklaratë është vlerësuar si e pavërtetë bazuar në marrëveshjen që ka arritur ai me Kryeministrin Thaçi (siç u tha) për tejkalimin e krizës institucionale, për presidenten e vendit, për ndryshimet kushtetuese, si dhe për ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Si të pavërteta janë vlerësuar dy deklarata të Behgjet Pacollit, njëra si Kryetar i AKR-së dhe tjetra si President i Kosovës.

Premtimi i Pacollit gjatë fushatës se do të zvogëlojë numrin e ministrive, fillimisht në 11 e më vonë në 6, është cilësuar si premtim i thyer apo i kundërt me veprimet e tij të fundit. Ku për shkak të koalicionit Qeveria u bë me 18 Ministra, dhe pastaj për të rritur pjesëmarrjen e AKR-së në Qeveri ai kërkoi edhe shtimin e një ministrie të re për t’u bërë 19.