Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 16:28

Autoritetet vendore dhe diplomatë të huaj e kanë dënuar plagosjen e ushtarëve të KFOR-it në veri si dhe kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme ndaj sulmuesve.

Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi ka kërkuar që forcat e sigurisë të përgjigjen me të njëjtën forcë në raste të tilla.

Ministri i Brëndshëm Bajram Rexhepi i ka vlerësuar plotësisht të papranueshme aktet e e fundit të dhunës në veri. Ai tha se përmbajtja e tepërt nga ana e KFOR-it , EULEX-it dhe policisë si duket po i trimëron grupet kriminale në veri që të ndërmarrin veprime të dhunshme.

Prandaj, Rexhepi kërkoi nga organet e sigurisë që të përgjigjen me forcën e njëjtë sa herë janë të rrezikuar.

Ministri i brendshëm ka shprehur sërish zotimin se do të ndërmerren gjitha masat që në veri të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe të vendoset rendi e ligji, me gjithë rezistencën”. Edhe kryeparlamentari  Jakup Krasniqi ka kërkuar që me do kusht të largohen barrikadat dhe të mundësohen lëvizja e lirë në atë pjesë të vendit.

Ndërkaq një ditë pas plagosjes së disa ushtarëve gjerman në veri, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë Ernst Rajhel e ka dënuar ashpër përdorimin dhunës si dhe iu bëri thirrje qytetarëve të veriut të distancohen nga njerëzit që mundohen të eskalojnë situatën:

Përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është plotësisht e papranueshme dhe duhet dënuar fuqishëm. Iu bëj thirrje qytetarëve në veri që të mos mbështesin aktet e dhunës dhe të rezistojnë ata që po tentojnë të eskalojnë situatën duke përdorur dhunën në mënyrë që të arrijnë qëllimet e tyre politike”.

Ambasadori gjerman tha gjatë një debati në Universitetin Amerikan në Prishtinë se Gjermania mbetet e paluhatur në kërkesat e saj ndaj Serbisë që janë normalizimi i situatës në veri në mënyrë që EULEX-i të funksionojë pa probleme edhe në atë pjesë.