Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 11:16

Trotuaret e rrugëve të kryeqendrës janë të zëna me automjete të ndryshme që vështirësojnë ecjen e këmbësorëve.

Zyrtarët komunal, thonë se qytetarët më shumë parapëlqejnë që veturat e tyre t’i kenë sa më afër që është e mundur, e jo të jenë në parkingje që janë të dedikuara për vetura.

Në trotuaret e kryeqytetit, këmbësorët pengohen nga parkimi i veturave vend e pa vend. Nga pamundësia që të shfrytëzojnë trotuaret, këmbësorët janë të detyruar që të ecin nëpër rrugë, duke rrezikuar kështu, jetën e tyre.

Zyrtarët komunal thonë se në kryeqytet ekzistojnë  parkingje me para, siç është ai mbrapa pallatit të Rinisë, e i cili nuk shfrytëzohet as 30 për qind. Zëdhënësi i komunës, Muhamet Gashi fajëson drejtuesit e veturave.  

“ Në komunën e Prishtinës është shtuar numri i automjeteve, është një numër enorm, por nuk mund t themi që nuk kemi parkingje, por qytetarët mundohen që shumë pak ta shfrytëzojnë ecjen dhe të gjitha obligimet t’i kryejnë me makinë dhe të mos parkohen në parkingje të dedikuara-thotë Gashi”.

Komuna e Prishtinës ka kohë që ka planifikuar ndërtimin e tri parkingjeve nëntokësore, të cilat janë paraparë të ndërtohen në hapësirën mes objektit të Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, tek Pallatit i Rinisë dhe Sporteve dhe tek Fakulteti i  Filologjisë.