Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 16:20

Prishtinë – Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është parakusht për një vendim të mundshëm të Qeverisë së Kosovës për vazhdimin eventual dialogut me Serbinë. Ky është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, të cilin e ka ripërsëritur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ditë më parë, Chatherin Eshton, shefe për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, ka theksuar se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të rifillojë menjëherë pas fillimit të punës së Qeverisë së re të Serbisë.

Por, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se fillimisht duhet të zbatohen të arriturat e deritashme në dialogun Kosovë-Serbi dhe më pas, lidhur me vazhdimin e dialogut, Kosova do ta marrë çdo vendim në përputhje me Kushtetutën e saj, si dhe në partneritet të plotë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duhet të zbatohen – dhe ky është qëndrimi ynë – të gjitha të arriturat që kanë qenë deri më tani. Në veçanti, insistojmë në menaxhimin e integruar të kufijve, por edhe të arriturat e tjera. Po ashtu, pastaj, çdo vendim do të jetë në përputhje me Kushtetutën, në përputhje të plotë me partneritetin me BE-në dhe SHBA-në”, ka deklaruar Kuçi. (LajmeShqip.com)