Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 14:35

Prishtinё – Drejtues të Policisë së Kosovës, kanë hedhur poshtë deklaratat  e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, se pjesëtarë të SHIK-ut po hetojnë për korrupsion në komunën e Prishtinës.

Zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, ka shprehur keqardhje për deklaratat e Mustafës.

Sipas, Kelanit, deklaratat e tij kanë dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës, pikërisht në kohën kur pjestarët policorë kanë shënuar suksese të shumta.

Megjithë këtë reagim, përfaqësues policorë, nuk kanë dashur të komentojnë më shumë, e as ti përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Nga ana e tij, Mustafa ka shfaqur shqetësimin e tij lidhur me disa hetime që janë duke u zhvilluar ndaj zyrtarëve të komunës nda departamenti i Policisë për krime ekonomike, metodat e të cilës, Mustafa i ka krahasuar me metodat e UDB-së.

Ndryshe, Kelani, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me Policinë e Kosovës.