Lajme Shqip Friday, 02 August 2013 14:47

Tiranë – Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot ky aksion ka vijuar gjatë paradites me prishjen e një shtesë pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Mihal Grameno”, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit Florenc Hoxha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Tiranës të mos ndërtojnë paleje dhe të mos bien pre e mashtrimeve të eksponentëve të lartë socialist për legalizimin e tyre, se të gjitha ndërtimet pa leje do të prishen.

“Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë Tiranë sot po vijon punën e tij në lidhje me ndërtimet pa leje. Pra për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Këtu pas meje shikohet që në mënyrë abuzive ka lulëzuar një ndërtim pa leje, shtesë kati, të cilën ne do ta vendosim përpara kushteve të ligjshmërisë duke e kthyer në gjendjen e mëparshme”- u shpreh Hoxha, raporton albeu.

Zoti Hoxha tha se ka një kontakt të vazhdueshëm me ALUIZN-in për të vendosur në kushtet e ligjshmërisë çdo objekt të ndërtuar pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZN-it. Asnjë prej këtyre objekteve nuk mund dhe nuk do të përfitojë nga legalizimi.

“Po verifikojmë dhe po konstatojmë çdo ndërtim pa leje që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit. Kemi pasur një korrespondencë me zyrat e ALUIZN-it për të përcaktuar kushtet e ligjshmërisë dhe për të përcaktuar çdo objekt paleje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZN-it pikësëpari duke e përjashtuar atë nga legalizimi dhe më pas për të vepruar me forcën e ligjit.

Garantojmë edhe njëherë qytetarët e Tiranës, që do të veprojmë ndaj çdo objekti të paligjshëm që është ndërtuar në mënyrë abuzive gjatë këtyre kohëve në qytetin e Tiranës” – theksoi z. Hoxha.

Kreu i Inspektoratit Ndërtimorë i ka bërë thirrje eksponentëve të PS-së të mos ndërtojnë pa leje dhe kërkoi nga PS të mos e politizojë çështjen e ndërtimeve pa leje për të mbrojtur eksponentët e saj.