Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 16:50

Tiranë – Ish ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dëshmoi ditën e sotme para Gjykatës së Lartë lidhur me videon e përgjimit mes tij dhe Kreut të LSI-së, Ilir Meta.

Në një prononcim për mediat pas dëshmisë së tij, Prifti tha se “dëshmova të gjitha ato që unë di mbi këtë akuzë që është ngritur ndaj të pandehurit Ilir Meta”.

Në këtë seancë pyetjesh, tha Prifti, kisha mundësinë të sqaroja edhe një herë tjetër paprekshmërinë dhe jo ndërhyrjen në videon origjinale, pasi disa ditë më parë disa pseudo ekspertë guxuan të hidhnin dyshime.

“Sqarova që menjëherë pasi përfundova regjistrimin me orën regjistruese, pa kaluar më shumë se pak sekonda, e kam hedhur regjistrimin nga ora në kompjuterin tim. Gjykata dhe kushdo mund ta shohin orën kur është fikur kamera, të shohin orën, minutën dhe sekondën, që kjo video është hedhur në lap-top”, tha Prifti.