Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 17:15

Tiranë – Gjykata vendosi të shpallë si të papërdorshme videon e fshehte kundër ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish- zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj.

Në seancën e zhvilluar paraditen e së hënës, prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi që video kundër dy- ish zyrtareve, të shfaqej me cilesine e proves para Gjykatës. Ndërkohë që  pala mbrojtese, duke kundërshtuar prokurorinë, i kërkoi Gjykatës deklarimin e videos të papërdorshme, me pretendimin se ajo ishte administruar në shkelje të ligjit nga akuza.  

Pasi dëgjoi palet, trupi gjykues, i përbërë nga pesë gjyqtarë, me shumicë votash  vendosi që të shpallë  videon të papërdorshme në këtë proces, duke rrëzuar në këtë mënyrë provën e vetme të prokurorisë. Në kushtet e reja të krijuara pas vendimit të Gjykatës, prokurori Sheshi kërkoi kohë për të përgatitur hapat ligjore që do të ndërmarrë  lidhur me procesin.

Nga ana tjeter, për avokatin Fatmir Braka, me rrëzimin e provës së prokurorisë, ky proces duhet të pushohet. Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish zv/ministri i kësaj ministrie, Leonard Beqiraj, akuzohen  për korrupsion pas publikimit në media të një videoje të fshehtë, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi te konsiderueshme parash  me njëri tjetrin.

Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga një ekspert i huaj që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos “Meta-Prifti”.(LajmeShqip.com)