Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 13:34

Sot në mëngjes besimtarët ortodoksë janë futur me forcë në Pallatin e Kulturës, e cila përdorej si kisha e Shën Marisë së Pazarit, por prej 15 gushtit, godina iu kthye bashkisë pasi kishte fituar betejën gjyqësore.

Rreth orës 11:00 dy autobusë me besimtarë dhe priftërinj ortodoksë nga qarku i Gjirokastrës kanë zbritur në Përmet dhe i janë drejtuar Pallatit të Kulturës për të rimarrë godinën.

Ata iu bashkuan besimtarëve që qëndronin para godinës së Shtëpisë së Kulturës dhe tentuan të hynin brenda. Fillimisht kanë hasur në rezistencën e policisë private “Aulona” dhe të policisë bashkiake, ku nuk kanë munguar debatet dhe konfrontimet fizik mes tyre. Madje një prej policëve privatë kanë hedhur sprajt në drejtim të protestuesve, njofton A1 Report.

Më pas situata u tensionua dhe filluan konfrontimet fizike. Dëshmitarët thonë se 2 priftërinj dhe 2 besimtarë janë parë të gjakosur.

Më pas protestuesit kanë hequr rrethimin prej llamarine dhe kanë hyrë brenda ku po mbajnë dhe “Meshën e Triumfit”.

E gjithë kjo është zhvilluar në sy të policisë së shtetit e cila rrinte indiferentë në një distancë me konfliktin. /albeu.com/