Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 16:53

Prishtinë – U prezantua viza e parë kosovare, e shpallur në bazë të një konkursi nga organizata norvegjeze IMG, që implementon në emër të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Vendosja e vizave qytetarëve të 87 shteteve, është obligim i Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se konform afateve ligjore, sistemi do të lansohet si pilot projekt në Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll, prej nga edhe vijnë shumë pasagjerë nga Azia dhe Afrika në Kosovë.

Pritet që deri në fund të vitit, Kosova të implementojë tërësisht regjimin e vizave, duke krijuar kështu një sistem të sigurt të kontrollit të hyrjeve dhe daljeve në Kosovë.

Komisioni i udhëhequr nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, stafi i Departamentit Konsullor të MPJ-së si dhe pala norvegjeze kanë përzgjedhur pamjen e vizës kosovare, duke u bazuar në aplikimet anonime dhe kushtet teknike të vëna në konkurs. Viza e re e Republikës së Kosovës do t’i ketë masat e sigurisë, do të shtypet në letër speciale, e cila përdoret edhe për kartëmonedha dhe do të ketë edhe simbolet kryesore të Kosovës.

Fituesi Antuan Kurti, është dizajnuesi kosovar që jeton në Belgjikë. Vendin e dytë e fitoi dizajnuesi kosovar, Shpend Berbatovci, ndërsa vendin e tretë dizajnuesi, Norik Rizaj.

Gjatë prezantimit të dizajnit, Ministrja Çitaku deklaroi se Kosova duhet të ndërtojë sistem të mirë të mbrojtjes së azilkërkuesve, sistem të ri-integrimit të qytetarëve tanë që u refuzohet qëndrimi ilegal në BE.

“Duhet të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, por duhet edhe të përgatitemi të bëhemi anëtar të Zonës Schengen, duke aplikuar regjim të vizave për shtetet e treta, qytetarët e të cilave mund ta përdorin Kosovën si platformë për emigrim ilegal, tutje në BE”, ka thënë Çitaku.