Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 13:45

Duke përdorur tabulatet telefonike, rrethanat dhe dëshmitë e ndryshme, prokuroria ka arritur në përfundimin se dëshmia e Dritan Priftit është e besueshme dhe se Ilir Meta është fajtor për akuzën për korrupsion aktiv. Bëhet fjalë për dy ryshfete në shuma të mëdha, njëri 700 mijë euro dhe tjetri në shumën 1 milion dollarë.

Edhe pse ekspertiza e videos ka tërhequr vëmendjen më të madhe, prokuroria ka përdorur të gjithë elementët në dispozicion për të provuar se ajo është origjinale dhe e paprekur.

Kështu, prokuroria e nis pretencën e saj duke theksuar se me vullnetin e tij, Dritan Prifti ka dëshmuar se Ilir Meta kishte nisur t’i bënte presione të pandërprera për të bërë afera korruptive. Në këto kushte, më 1 mars 2010, Dritan Prifti ka vendosur të regjistrojë Metën. Prokuroria thotë se ashtu siç dëshmon edhe Prifti, ekziston tablati i telefonatës së Metës përpara vizitës së tij në zyrën e Priftit, sikundër është faktuar se Meta është larguar menjëherë jashtë vendit, njësoj sikur thotë Meta gjatë telefonatës. Prokuroria ka verifikuar sistemin TIMS, që tregon largimin e Metës jashtë vendit pak pasi ishte në zyrën e Priftit.

Në pretencën e prokurorisë thuhet se Meta kishte kërkuar ndërhyrje për dy raste.

I pari për ndërhyrjen në garën për koncesionin e ndërtimit të hidrocentraleve Egnatia- Shushicë, me një kosto prej 65 milion euro. Synimi ishte që garën ta fitonte kompania “Vëllezërit Tola”. Në këmbim si shpërblim i kundërligjshëm do merrej shuma 700 mijë euro dhe 7 përqind të aksioneve.

Rasti i dytë ishte ai i favorizimit të shoqërisë “Halilaj Holding’ në ankandin për shitjen e 30 mijë tonëve naftë bruto të prodhuar nga Albpetrol. Nga ky favorizim, Meta ofronte një përfitim të paligjshëm prej 1 milion dollarë, që do ndaheshin mes Metës dhe Priftit.

 Regjistrimi i videos

Prokuroria thekson se pas presioneve të shumta për shtytje në veprimtari të paligjshme, Dritan Prifti vendosi të regjistronte bisedën me Metën.

Video është regjistruar më 1 mars, telefonatat e Metës faktojnë se ai ishte nisur për në zyrën e Priftit dhe është larguar menjëherë nga ajo.

Regjistrimi është realizuar me një pajisje joprofesionale, e kamufluar në një orë tavoline dhe është shkarkuar menjëherë në laptopin e Priftit.

Prokuroria thotë se gjykata e ka pranuar atë si provë të vlefshme procedurialisht. Madje edhe ekspertëve shqiptarë iu është kërkuar që të përgatisin një kopje të filtruar sa më mirë. Kjo kopje është pranuar si provë. Prokuroria thotë se është në të drejtën e gjykatës të vendosë se do e dëgjojë apo jo videon, por prokuroria do e përdorë atë si provë për shkak se akti i ekspertimit dhe CD iu është vënë në dispozicion palëve.

Sipas prokurorisë, gjetjet e ekspertëve shqiptarë nuk janë as shkencore dhe as të sakta. Ata thonë se fakti që dëgjohet një tik-tak i tepërt në regjistrim, tregon se mund të ketë ndërhyrje. Ndërkohë ata pranojnë se kjo mund të jetë një zhurmë nga regjistruesi ose ndonjë defekt i mekanizmit të orës.

Por nuk është ky argumenti më i fortë i prokurorisë për video. Sipas tyre, në aktin e ekspertimit thuhet se ka vetëm një datë modifikimi të videos dhe ajo është 1.03.2010, ora 01.33. Pikërisht kjo është ora kur video është shkarkuar në laptop. Madje as vetë Prifti nuk e ka parë më videon, le më të ketë ndërhyrë në të.

 

Ryshfeti 700 mijë euro

Të gjithë kujtojnë momentin kur Ilir Meta merr telefonin dhe nis të flasë me Agim Rrapajn, një personazh i njohur i drejtësisë për aferat korruptive. Rrapaj flet në emër të shoqërive

“Vëllezërit Tolaj”, që kërkon të marrë koncesionin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë. Tabulatet e telefonit të Rrapajt faktjnë se ai ka komunikuar me Metën, pikërisht në kohën kur ai ishte në zyrën e Priftit, dmth në orën 13.28. Kjo është një provë e pakundërshtueshme pasi siç tregon edhe tabulati, telefonata ka zgjatur fiks aq sa në video, çka tregon se edhe video është origjinale.

Meta kërkon në video që të merret parasysh një vendim i Gjykatës së Apelit, duke u shprehur i bindur se në Gjykatën e Lartë nuk do ketë probleme, ‘pasi ai e rregullon me kryetaren’. Fakti që Meta kërkon të merret parasysh ky vendim, thotë prokuroria, tregon se Meta nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për të përmendur shuma përveç arsyes që sjell Prifti. Po ashtu Meta vijon të deklarojë se në mënyrë të paligjshme do ndërhyjë edhe në Gjykatën e Lartë, çka përforcon këtë fakt.

Ndërkohë, dëshmitë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë faktuar se përjashtimi i shoqërisë “Vëllezërit Tola” nga tenderi u bë për shkak se ajo nuk plotësonte kriteret teknike, juridike dhe ekonomike. Në këtë mënyrë faktohet se Meta po bënte një ndërhyrje të paligjshme, të cilën nuk e çoi deri në fund kur u bë Ministër i Ekonomisë për shkak se e dinte se ishte regjistruar.

 

Ryshfeti 1 milion dollarë

Pjesa ku flitet për këtë ryshfet është edhe më interesantja. Bëhet fjalë për një biznesmen të quajtur Bekim Halilaj, që kërkon të fitojë një ankand për shitjen e 30 mijë ton nafte bruto nga Albpetrol. Shpërblimi është 1 milion dollarë.

Bekim Halilaj, një person me precedentë dhe me të kaluar të dyshimtë, rrezikon shumë me dëshminë që ka bërë. Prokuroria ka vërtetuar nga anëtarët e komisionit të ankandit se ai ka garuar me firmën e tij. Halilaj dhe Meta kanë kërkuar nga Prifti që të ndikojë që të bindet ARMO që të japë për kompaninë e Bekimit ekskluzivitetin për përpunimin e naftës së tij në rafineri ose t’i jepte Bekimit me qera rafinerinë. Dëshmia e pronarit të ARMO-s, Rezart Taçi, ka vërtetuar diçka të tilla. Taçi ka dëshmuar se Halili ka kontaktuar përmes miqve të përbashkët për të marrë me qira rafinerinë.

Por ajo që rrezikon më shumë Halilajn është dëshmia e tij në Gjykatën e Lartë se ai ka biseduar me Ilir Metën për problemin e ankandit vetëm në muajin qershor, kurse Dritan Priftin e ka mik. Por tabulatet telefonike zbulojnë se brenda një viti Halilaj ka folur me Priftin vetëm 13 herë, kurse me Ilir Metën plot 192 herë. Vetëm në ditën kur do bëhej ankandi ai ka biseduar me Metën tre herë, kurse ditën e shtyrjes së ankandit plot 12 herë. Dmth me Priftin që thotë se e ka mik ka folur 13 herë në vit, kurse me Metën, që thotë se e ka takuar rastësisht, ka biseduar plot 192 herë.

Ja dinamika e telefonatave më 10 mars 2010. Në orën 8.34 Meta merr në telefon Bekim Halilin, në orën 10.11, 11 minuta pas orës së ankandit, Bekim Halilaj merr Metën. Në orën 10.13, Meta merr në telefon Bekim Halilajn. Në orën 10.24 Halilaj merr Ilir Metën. Në orën 10.56 dhe dy herë brenda orës 11.00 Meta merr në telefon Bekim Halilajn. Më pas në orën 11.02 Meta merr në telefon Dritan Priftin. Më pas në orën 11.17 Dritan Prifti merr në telefon Bekim Halilajn dhe menjëherë Bekimi në orën 11.23 komunikon me Ilir Metën. E kështu telefonatat vijojnë thuajse gjithë ditën e deri në mesnatë kur sërish Bekim Halilaj në orën 00.31 merr Ilir Metën.

Prokuroria ka marrë si provë edhe një SMS që Bekim Halilaj i ka dërguar Dritan Priftit. Ndërsa në Gjykatë, Halilaj e ka mohuar një SMS të tillë, edhe pse ajo ishte parë nga prokuroria.

Halilaj po ashtu ka mashtruar kur ka thënë se nuk e njeh Pajtim Sulajn, drejtuesin e komisionit të ankandit. Por në akt tabulatet telefonike tregojnë se ai ka folur brenda nj viti 139 herë më të. Vetë në muajin mars, kur është bërë ankandi, ata kanë folur plot 49 herë bashkë.

“Ky është njeriu që përpiqet të kundërshtojë dëshminë e Dritan Priftit për premtimin e bërë për përfitime të paligjshme,” konkludon Prokuroria.

 

Guximi i Dritan Priftit

Në konkluzionet e Prokurorisë theksohet se nuk ka qenë e lehtë për Dritan Priftin, që të denoncojë zëvendëskryeministrin, njeriun e fuqishëm, që po ashtu ofronte edhe pagesa të majme. “Gjykimi i kësaj çështje provoi se dëshmitari Dritan Prifti është plotësisht i besueshëm dhe gjithë provat direkte dhe indirekte të analizuar më sipër evidentuan vërtetësinë dhe besueshmërinë e shpjegimeve të tij,” thekson Prokuroria.

Prokuroria thekson se mbrojtja ka tentuar të përdorë të shkuarën e Priftit për të nxjerrë në pah karakterin e dobët. Por Prokuroria thekson se referimi në të kalurën e largët nuk cenon besueshmërinë e një dëshmitari. Prokuroria po ashtu deklaron se ajo nuk është marrë fjala bie me të kaluarën e Bekim Halilajt, dënuar për veprën penale të mashtrimit.

Ndërkohë, nuk harrohet pa u përmendur nga Prokuroria edhe një e ashtuquajtur deklaratë e dëshmitarit Fatmir Merkaj, që Prifti i ka kërkuar peshqesh. Prokuroria thekson se në deklaratat e tij në fashikujt e provave nuk ka asnjë deklaratë të tillë. Merkaj ka deklaruar se është një ndërtues që nuk e njeh fare Priftin dhe që nuk ka asnjë dijeni për akte korruptive të tij.

Në mbylle të pretencës, prokuroria zbardh edhe diçka tepër të rëndë, faktin që Ilir Meta nuk guxoi kurrë të shkojë në prokurori apo të përballet me Dritan Priftin. Edhe pse Meta ka bërë politikë duke thënë se ai është gati të përballet me drejtësinë, ai bishtoi, duke treguar sipas Prokurorisë besueshmërinë e dëshmitarit Dritan Prifti.

Meqë Kodi Penal parashikon për këtë krim dënimin nga 1 deri në 5 vjet burg, Prokuroria ka kërkuar dy vite me akuzën për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.