Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 08:08

Delegacionet e kryesuara nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel pritet të arrijnë marrëveshje për krijimin e asaj që kosovarët e quajnë “Asociacion”, ndërsa serbët “Bashkësi” të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për së paku disa nga tri temat e tjera për të cilat pritet të diskutohet, e që përfshijnë energjinë, telekomin dhe fatin e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, që në fakt është një barrikadë në urën mbi lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës.

Mustafa dhe Vuçiqi, me delegacionet e tyre me një numër mjaft të madh zyrtarësh, do të nisin takimet që në orët e mëngjesit, por, të mësuar nga përvoja e mëhershme, burimet e BE-së nuk mund të parashikojnë se sa do të zgjasë takimi, shkruan sot Koha Ditore.

Nga BE-ja këtë raund të nivelit të lartë përsëri do ta ndërmjetësojë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Pala serbe, më saktësisht kryeministri Vuçiq, ka insistuar të hënën se shkon në Bruksel “me qëllim që të arrijë marrëveshje”, por ka shtuar se nuk do të pranojë “asgjë që nuk është në interes të Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.

Në BE pritjet më të mëdha janë që të arrihet marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë (në anglisht BE-ja përdor të dyja termet për të kënaqur të dyja palët) së komunave me shumicë serbe.

Por palët edhe një ditë para këtij raundi të dialogut kanë mbajtur qëndrimet e kundërta rreth asaj se çfarë kompetencash do të ketë ky formacion. /koha/