Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 09:33

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një telegram ngushëlloi Kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg dhe popullin norvegjez, pas sulmeve terroriste ku humbën jetën një numër i madh njerëzish.

“Në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe gjithë qytetarëve të shtetit mik të Norvegjisë”, thuhet në telegram.

“Sulmet e djeshme kundër jetës së njerëzve janë tërësisht të papranueshme dhe i dënojmë me vendosmërinë më të madhe. Angazhohemi që të tilla raste të mos ndodhin më kurrë, në asnjë vend”, thuhet në telegram.