Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 16:30

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, i cili tha se vendi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat.

Duke e përgëzuar presidenten për zgjedhjen e saj në këtë post, ambasadori britanik tha se është e një rëndësie të veçantë perspektiva e qartë evropianë për Kosovën dhe avancimi i saj, së bashku me vendet e tjera të rajonit, drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm dhe se zgjidhja e problemeve praktike është jetike.

Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, duke vlerësuar atë si të rëndësishme, meqë Kosova ka nevojë për agjendë të qartë evropiane.

Presidentja tha se Kosovës i duhet vendosja e një marrëdhënieje kontraktuale me BE-në, mënyrë që të qartësohet e ardhmja e saj.

Ajo tha se Kosova po i kushton kujdes marrëdhënieve me shtetet fqinje, në mënyrë të veçantë marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht dialogut që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Presidentja tha se dialogu do të ketë sukses, meqë palët do të gjejnë vetëm zgjidhje evropiane që janë në interes të të dy popujve dhe të dyja vendeve.