Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 11:06

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrisë.

Në telegram thuhet se Enveri dhe kolegët e tij, duke qenë në krye të detyrës për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhanë një shembull të sakrificës së jashtëzakonshme, përkushtimit të pashoq dhe profesionalizmit të lartë.

Vepra e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës do të përkujtohet përherë, thuhet mes tjerash në telegramin e ngushëllimit të presidentes Atifete Jahjaga.

Telegrame ngushëllimi për familjen Zymberi kanë dërguar edhe subjektet politike dhe shoqëria civile.

Polici i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili u plagos të martën nga sulmi i snajperit gjatë aksionit të policisë së Kosovës për të vendosur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ka ndërruar jetë mbrëmë në QKUK, në Prishtinë. (LajmeShqip.com)