Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 12:03

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti një ligjëratë në Kolegjin Dartmouth të Hanoverit në SHBA, me temën “Sukseset dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit në Kosovë”.

Zyra e shtypit e presidencës kosovare bëri të ditur se ligjërata e Presidentes Jahjaga, u përcoll nga një numër i madh i studentëve dhe profesorëve të Kolegjit Dartmouth.

Në fjalën e saj, Jahjaga u shpreh se “në Republikën e Kosovës, shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët, ashkalinjët, romët, malazezët, kroatët i gëzojnë të drejtat dhe obligimet e barabarta, pa marrë parasysh numrin”.

“Vendi im dëshiron të jetë anëtar i Bashkimit Evropian sepse perspektiva e të gjitha vendeve të rajonit është në këtë anëtarësim duke siguruar përkrahje dhe ndihmë reciproke dhe duke siguruar standarde të larta në lëmin e lirive dhe të drejtave të njeriut në qeverisje më të mirë, në zhvillim ekonomik, arsimor, etj. dhe në avancimin e proceseve demokratike”, tha Presidentja kosovare.

Ajo bëri të ditur se “të rinjtë e vendit tim mund të udhëtojnë vetëm në katër shtete të botës pa pasur nevojë për viza. Na është premtuar dhe ne si institucione të Kosovës jemi zotuar se do t’i kryejmë të gjitha procedurat dhe obligimet që deri në fund të këtij viti qytetarët e mi të mund të udhëtojnë lirshëm, pa viza  në shtetet e Bashkimit Evropian”.

Më tej, Jahjaga u ndal edhe në problemet që ekzistojnë në veri të Kosovës, siç janë tri komuna që janë të banuara me shumicë etnike serbe dhe që janë gjeografikisht në veri të territorit të Kosovës dhe që kanë lidhje direkte tokësore me Serbinë.

“Numri i banorëve në këtë pjesë të vendit tim nuk është më i madh se 50.000 veta ndërsa i gjithë territori është 900 km katrorë, këtë po e them për të treguar se ky numër dhe ky territor nuk është i mjaftueshëm që të vetëdeklarojë pavarësinë, apo të shfrytëzojë të drejtën e vetëvendosjes”, nënvizoi Jahjaga.

Gjithashtu presidentja kosovare tha se “rasti i Kosovës deri më tash konsiderohet si  tregimi më i suksesshëm i veprimit të NATO-s edhe në pikëpamje operacionale, edhe në angazhimin proporcional të forcës dhe të përdorimit adekuat të mjeteve dhe të realizimit të objektivave ushtarake dhe politike. Është një ndërthurrje e diplomacisë me forcën ushtarake”.

Sipas saj, rasti i vendit tim, është shembull i suksesshëm të bashkëpunimit të plotë rreth një qëllimi, të faktorit të brendshëm me faktorin e jashtëm dhe Republika e Kosovës është rezultat i këtyre dyjave dhe pa njërën ose tjetrën nuk do të ishte e mundur.

Në përfundim Presidentja e Kosovës nënvizoi se “ky shekull është shekull i integrimeve dhe jo i ndarjeve. Duke ndërtuar vendet tona në e ndërtojmë edhe njerëzimin”.