Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 13:48

Prishtinë Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi ashpër sulmin mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës nga grupe huliganësh të dhunshëm nga Republika e Serbisë, që tentuan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, për manifestime për të cilat paraprakisht nuk është bërë kërkesa në organet përkatëse të Republikës së Kosovës.

Jahjaga theksoi se përpjekjet e këtyre grupeve të huliganëve, që me dhunë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të ndalohen sepse janë shkelje serioze e rendit dhe ligjit dhe përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

“Sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri, është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim”, thekson Jahjaga.

Presidentja i bëri thirrje autoriteteve të Republikës së Serbisë që të pengojnë grupet e huliganëve serbë dhe të parandalojnë përpjekjet e tyre për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, duke shkelur kështu ligjet e Republikës së Kosovës dhe ju përkujton autoriteteve serbe se politika e fqinjësisë së mirë është obligim dhe parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (LajmeShqip.com)