Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 09:00

Prishtinë- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga uron të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

“Dita e Pashkëve është një festë e rëndësishme, festë që shënon ditën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit, ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti”, shprehet Presidentja Jahjaga.

Presidentja thekson se, “uroj që këtë festë ta kaloni në lumturi, në dashuri e në harmoni me të gjithë njerëzit tuaj më të afërm dhe më të dashur”.
Në këtë ditë të festës, vijon ajo, le t’i rikujtojmë me respekt dhe dhimbje të gjithë ata që nuk janë sot më, si dhe të tregojmë ndjenjën e solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën e shtetit dhe të shoqërisë.

“Kosova është një vend në të cilin tradicionalisht ka mbizotëruar harmonia midis besimeve dhe etnive të ndryshme. Në këtë vit të rëndësishëm për të gjithë ne, kur kemi shumë detyra, obligime e sfida para vetes, le të përkujtojë secili obligimet që kemi ndaj shoqërisë, shtetit tonë, të cilin duhet ta zhvillojmë e ta përparojmë, për të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë”, thekson Presidentja Jahjaga, duke uruar me rastin e Pashkëve. (LajmeShqip.com)