Lajme Shqip Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 11:37

Tiranë (PLOTËSUAR 18:52) – Bordi drejtues i ACR, i udhëhequr nga znj. Skatche-Depich, ishte sot në Bulqizë për të negociuar me minatorët rreth situatës së krijuar. Bordi drejtues i ka bërë disa herë thirrje minatorëve t’i kthehen punës në minierë, pasi kërkesat e tyre për rritjen e pagës 20%, transparencën e investimeve si dhe përmirësimin e kushteve të punës tashmë janë plotësuar.

Znj. Skatche-Depich siguron minatorët se ACR nuk do të marrë asnjë masë ndëshkuese për pjesëmarrësit në grevën e paligjshme, madje vëren me shqetësim që organizatorët e grevës, Kol Nikolla dhe Taf Koleci, vazhdojnë të mbajnë një qëndrim aspak në dobi të minatorëve. Për këtë arsye ajo i bën thirrje të gjithë minatorëve të distancohen nga njerëz të tillë të papërgjegjshëm.

ACR është e gatshme që të presë secilin nga minatorët në çdo moment për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e tyre.

*********************************

Tiranë (PLOTËSUAR 16:12) – Minatorët e Bulqizës, kanë refuzuar ftesën e presidentes së kompanisë ACR, Rohtraut Skatche-Depich, për t’u ulur në bisedime, me qëllim zgjidhjen e situatës.

Ata, së bashku me kreun e Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikollën dhe nënkryetarin e Bashkisë të Bulqizës, Agim Ferhati, (i cili mori pjesë në mbledhje, si urë komunikimi midis kompanisë ACR dhe minatorëve), mbas më shumë se dy orë bisedimesh, vendosën të refuzojnë kërkesën e Skatche-Depich, për të ulur në bisedime, me argumentin se në këtë tryezë duhet të marrë pjesë edhe Kolë Nikolla, pasi ai është përfaqësuesi i tyre ligjor.

Vendimi i marrë sot nga minatorët, erdhi pasi në ftesën e bërë nga presidentja e kompanisë ACR, Rohtraut Skatche-Depich, e cila udhëtoi në mëngjesin e të premtes me helikopter drejt Bulqizë, i kërkohej minatorëve të zgjidhnin një përfaqësi prej katër vetash, me kusht që të katërt të ishin punonjës të firmës.

Ndërkaq, në përfundim të mbledhjes minatorët u shprehën se nuk do të lejojnë fillimin e punës në minierë pa u arritur më parë një marrëveshje me kompaninë në lidhje me kërkesat e tyre. Ata gjithashtu kanë kërcënuar se do të rifuten në grevë po të jetë e nevojshme.

************************************

Tiranë (PLOTËSUAR 14:10) – Presidentja e kompanisë “ACR”, Skatche-Depich, iu është drejtuar sot me një mesazh të gjithë minatorëve të Bulqizës, duke i pohuar se është aty për t’i dhënë një zgjidhje situatës së krijuar.

Ajo ka ftuar që minatorët të zgjedhin një përfaqësi prej katër vetash për t’u takuar me të. “Jam këtu që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje. Besoj se çdonjëri nga ju pret të kalojë Bajramin sa më mirë dhe të ketë një të ardhme më të mirë. Unë jam këtu që t’i bëj të mundura  të dyja. Ftoj katër minatorë, vetëm punonjës të ACR, që të takohen me mua, të diskutojmë bashkërisht dhe të gjejmë zgjidhjen”, u shpreh ajo.

Skatche-Depich premton se përveç përmirësimit të kushteve të punës, do të punohet edhe për hapjen e galerive të reja të thellësisë, një kërkesë tjetër e minatorëve kjo. Ajo u shpreh se “duhet të përkushtohemi të gjithë në hapjen e pusit të thellësisë, por për ta bërë këtë ju duhet t’i ktheheni punës”.

ACR vazhdon të jetë e hapur për bisedime me minatorët e kompanisë për të gjetur një zgjidhje për kërkesat e minatorëve, pjesën më të madhe të së cilave kompania deklaron se i ka plotësuar.

***********************************

Tiranë – Nuk i është pritur më gjatë, por me helikopter ka mbërritur në Shqipëri presidentja e kompanisë ACR, pas situatës që eskaloi në minierën e Bulqizës.

Sipas informacioneve të fundit, presidentja ka mbërritur me një helikopter, për t’u takuar me minatorët të cilët u përleshën dje me policinë, ka transmetuar Top Channel.

Ka qenë i kotë apeli i administratorit të ACR-së që minatorët të paraqiteshin pranë zyrës së administratës së kësaj kompanie, e cila, sipas tij, do t’ua njihte të gjitha të drejtat.

Kreu i sindikatave të minatorëve, Kol Nikolla, ka thënë se po që se deri të hënën nuk plotësohen kërkesat, minatorët do t’i kthehen grevës.

Ndërkohë, sot dita ka nisur me përleshje midis minatorëve dhe forcave të rendit.

Minatorët u mblodhën në mëngjes pranë hyrjes në minierë, në pritje të realizimit të një marrëveshjeje me kompaninë koncesionare.

Situata ishte e qetë deri sa u mësua se një grup i vogël grevëthyesish do tentonin të hynin në minierë për të nisur punën.

Gjendja u tensionua dhe minatorët kanë nxituar të bllokojnë hyrjen e minierës, por edhe të hyjnë brenda. Ata penguan edhe disa kamionë të ngarkuar me lëndë ndërtimi për minierën.