Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 14:45

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ua uron gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë Festën e shenjtë të Fiter Bajramit, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik të hënën.

“Në këto momente të gëzueshme e të lumtura për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ndodhen, shpreh urimet e mia më të ngrohta e të përzemërta për ju dhe familjet tuaja, që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë në harmoni, paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin, plot shëndet e mbarësi për të gjithë të afërmit e të dashurit tuaj”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

“Një mendim i veçantë në këtë ditë të shenjtë vlen të jetë edhe për të gjithë ata që sot ndjejnë nevojën për solidaritet, dhembshuri e respekt njerëzor për vështirësitë, me të cilat i ka përballur jeta. Besimi dhe ndjenja e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë njerëzore janë mesazhet e shpresës që të gjithë besimtarët mund të përcjellim në këtë ditë të shënuar në kalendarin islam”, theksohet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit.