Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 17:00

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi drejtuar Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për Festën e Kurban Bajramit.

Në mesazhin e Kreut të Shtetit theksohet se “kjo festë e madhe e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit dhe paqes, i bekon të gjithë besimtarët shqiptarë me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të shfaqur vlerat e mirësisë e të solidaritetit njerëzor, si dhe për të kryer vepra të dobishme në shërbim të vendit dhe të ardhmes së tij!”.

Presidenti uron që kjo ditë e shenjtë e kalendarit islamik “të shërbejë si një mundësi reflektimi të thellë për të rishikuar e vlerësuar harmoninë dhe tolerancën fetare, si vlerën më të arrirë të shoqërisë shqiptare, për të na mundësuar që të kapërcejmë të gjitha vështirësitë e të sotmes dhe realizuar të gjitha dëshirat dhe aspiratat e së nesërmes”!