Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 14:52

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, vizituan sot në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të uruar Festën e Sulltan Novruzit.

Presidenti dhe Zonja e Parë përcollën urimet për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë, kudo ndodhen, me besimin se ditë të tilla feste duhet të sjellin gëzim, mirëkuptim e harmoni për mbarë popullin shqiptar.

“Është një ditë e madhe që ka dy simbolika sot: ka një simbolikë që lidhet me Festën e Sulltan Novruzit, e cila korrespondon me ditëlindjen e të madhit Imam Aliu. Dhe padyshim që urimi i parë shkon për besimtarët bektashinj, të cilët e gëzojnë këtë ditë si një ditë e veçantë, e cila ka të bëjë me simbolikën e ringjalljes. Pra kjo ringjallje, kjo ditë e bukur është një ditë shprese dhe besoj se tek çdo njeri ka momente rifreskimi, ringjallje që vjen jo thjesht me natyrën, por edhe me simbolikën e bukur të kësaj dite”, tha presidenti Topi.

Ai shtoi se kjo është një festë e bukur edhe për demokracinë. Pra korrespondon në këto dy simbolika dhe është festë besoj e të gjithë shqiptarëve.