Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 11:59

Tiranë – Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do të mbërrijë sot në Serbi, për të marrë pjesë në një konferencë rajonale lidhur me trashëgiminë kulturore.

Presidenti Topi do të qëndrojë në Serbi deri më datën tre shtator, ku pritet të ketë edhe disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërkaq për herë të nëntë organizohet me shefat e shteteve të Evropës Juglindore dhe këtë vit organizohet nga presidenca serbe. Aty pritet të marrin pjesë të gjithë presidentët e rajonit, duke përjashtuar përfaqësuesit e Kosovës.

Konferenca do të mbahet me datë 2 shtator në qytetin e kohës romake, Viminacijum, afër qytetit të Pozharevcit. Presidenti Topi viziton për herë të parë në cilësinë e presidentit Serbinë pasi një vit më parë pati refuzuar të ishte pjesë e samitit të presidentëve të Europës Juglindore në Novi Sad, një samit që mbahet çdo vit, për shkak të situatës politike dhe mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në kohën kur serbët bojkotonin çdo takim ku ftoheshin përfaqësuesit e Prishtinës.