Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 11:04

Presidenti Bamir Topi ka reaguar pas arritjes së një marrëveshje mes PD e PS për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore e rënies dakord për reformën parlamentare dhe axhendën e ligjeve me 3 të pestat vetëm pas 24 orësh ndërsa gjatë ditës së djeshme, zyra e presidentit nuk patur asnjë reagim për zhbllokimin e marrëveshjes pas 2 vjet e gjysëm konflikti.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, mirëpret rikthimin e dialogut politik dhe institucional në Parlament midis partive politike të mazhorancës dhe të opozitës. Dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës inkurajon forcat politike parlamentare që të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu, dhe me vullnet të qartë politik të bashkojnë energjitë e tyre për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej tyre dhe ato të cilësuara në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë,” thuhet në deklaratën e presidentit.