Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 14:12

Tiranë-Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, i shprehën sot paradite ngushëllimet më të sinqerta Familjes Mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogut të I-rë.

Kreu i Shtetit dhe Zonja e Parë vizituan sot oborrin mbretëror duke i shprehur personalisht ngushëllimet për humbjen e pazëvendësueshme të pretendentit të fronit familjarëve e në mënyrë të veçantë djalit të tij, Leka Zogu II si dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të njërës prej figurave më të rëndësishme atdhetare e antikomuniste shqiptare, i cili me përkushtim dhe devotshmëri, ia kushtoi jetën përpjekjeve të vazhdueshme në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Pas lënies së një shënimi në Librin e Zisë, Presidenti i Republikës rishprehu ngushëllimet dhe vlerësimet edhe para përfaqësuesve të medias, duke theksuar se humbja e Leka Zogut të I-rë “nuk është vetëm e familjes, por e mbarë shoqërisë shqiptare që sot respekton një njeri, i cili ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë, asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për çështjen kombëtare”.

Ai i uroi Princ Lekës që të jetë në vazhdim të traditës së paraardhësve të tij për të kontribuar për çështjen kombëtare. “Shqipëria sot ka nevojë për çdo njeri për të kontribuar për të ardhmen e këtij vendi, që sigurisht është dhe ka qenë edhe në ëndrrat e të gjithë patriotëve shqiptarë për të qenë pjesë e Evropës së qytetëruar”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Leka Zogu i I-rë vdiq dy ditë më parë në një spital të Tiranës, pas një “arresti kardiak”. Ai vuante prej kohësh nga shqetësime të rënda në zemër e mushkëri dhe ishte shtruar në spital që prej dy javësh.

Qeveria shqiptare e shpalli ditën e shtunë, ditë zie kombëtare duke bërë të ditur se Leka Zogut të I-rë do t’i rezervohej një ceremonial shtetëror me të gjitha nderimet që i takojnë.