Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 09:00

Tiranë- Presidenti i Republikës Bamir Topi në një intervistë për emisionin Top Story, ka komentuar ambicien e ish-kryeministrit Fatos Nano për tu zgjedhur kreu i ri i shtetit. Për Topin, gjithkush që do konkurrojë në këtë post duhet ta bëjë në mënyrë të denjë.

Duke folur për kritikat që i janë bërë një javë më parë nga Nano në lidhje me deklaratat për ngjarjen e 21 janarit, Topi tha se ai flet gjuhën e Berishës.

“Kur më thanë pak ditë më parë mendova se ai e kishte mendjen për 14 shtatorin por duke e parë e shoh se një prononcim i tijin  në këtë rast lidhet me një pragmatizëm konkret. Natyrisht, ndjej keqardhje sepse ai nuk ka bërë asgjë tjetër veçse më ka perifrazuar gjuhën e Berishës, duke dashur të jetë tërheqës për të marrë mbështetjen e tij për të qenë në krye të shtetit. Do ti kujtoja zotit Nano se nëse ka qenë në Shqipëri apo nëse ka qenë jashtë të ketë ndjekur rolin e Presidentit të Republikës”, tha Topi

Topi deklaroi më tej, se i uron Nanos ta përballojë këtë garë me dinjitet, ndërsa parashikoi se zgjedhja e Presidentit do të jetë e vështirë edhe me 71 vota. “Do ti uroja që këtë garë ta përballojë me dinjitet. Tentativat për të përfolur një institucion që aktorët politikë nuk e kanë përzemër tregon se kërkon të jetë atraktiv pikërisht tek kjo pjesë. Nëse merrem të kritikoj një njeri për të qenë në garën e caktuar, mendoj se do ti bëjmë nder”, theksoi ai. (BW)