Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 18:50

Tiranë – Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot një vizitë pune në kryeqendrën e rrethit të Matit, në Burrel ku u mikprit nga Kryetarja e Bashkisë, Adelina Farrici, deputeti i zonës, Qemal Minxhozi, këshilltarë bashkiakë, drejtues të strukturave vendore, personalitete të jetës intelektuale e kulturore si dhe banorë të shumtë vendas.

Në takimin me kryebashkiaken e këtij rrethi, Topi u shpreh se shembulli që ju jepni në këtë Bashki duhet të vazhdojë sikurse edhe bashkëpunimi i mirë që gëzoni duke e mbështetur njëri-tjetrin. “Të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe atij qendror duhet të komunikojnë në mënyrë shumë racionale, sepse demokracia është respekt, komunikim dhe debat, është vendimmarrje dhe në fund fare, është dhe rotacion’, theksoi kreu i shtetit.

Më tej, në mjediset e Pallatit të Kulturës, u zhvillua ceremonia e nderimit të Presidentit të Republikës,. Bamir Topi me titullin “Qytetar Nderi”, nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me vota unanime me motivacionin: “Si intelektual i shquar, mbartës i vlerave qytetare të trevës që e lindi, shtetar i ekuilibruar, korrekt e i paanshëm, dhe për dashamirësinë e treguar për Matin dhe matjanët”.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjer Jensen, intelektualë dhe banorë të shumtë të qytetit të Burrelit.

Në fjalën e tij, Presidenti Topi duke falënderuar për dhënien e këtij titulli përcolli mesazhin që ‘të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe të kontribuojmë për Shqipërinë, për ta bërë atë dinjitoze për të qenë realisht në standardet e familjes evropiane”.

Duke vlerësuar bashkëpunimin që realizohet midis Kryetares dhe Këshillit Bashkiak, Topi uroi roj që “ky bashkëpunim të forcohet në të mirë të çdo qytetari matjan, sepse qytetarët, kur duan të marrin shërbimet jetike të tyre, natyrisht që nuk duhet të ndahen as në të majtë, as në të qendrës, as në të djathë”.

Në përfundim, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi një vizitë në Muzeun Historik Mat, ku vëzhgoi të arkivuara një larmi objektesh historike të rëndësishme të zonës, eksponate interesante që flasin për traditat karakteristike dhe kulturën tipike të saj, si dhe dokumente të hershme që vërtetojnë lashtësinë e vendbanimeve të rrethit të Matit.