Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 07:21

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu sot hidhërimin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të shquar Ernesto Sabato, duke kujtuar edhe lidhjen e veçantë të Sabatos me Shqipërinë, bëri të ditur zyra e shtypit e Presidencës.

“Me hidhërim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe personalitetit të shquar argjentinas, Ernesto Sabato, i cili mban dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Nderi i Kombit”. Sabato gjithnjë e theksoi lidhjen e tij të gjakut me vendin tonë, ai ishte admirues dhe mbështetës i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.

Presidenti Topi thekson se “humbja e tij është një humbje e madhe për kulturën botërore, si një nga zërat më të fuqishëm të letersisë së shekullit XX. Ai përfaqëson një intelektual jokonformist, një personalitet me angazhim të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, një simbol në rezistencën kundër çdo forme të autoritarizmit”.

Presidenti Topi kujtoi vizitën e Ernesto Sabatos në Tiranë më 1996, takimet e tij të paharruara me intelektualët dhe shkrimtarë shqiptarë, si dhe fjalën e tij emocionuese për origjinën e tij të largët shqiptare, në ceremoninë e marrjes së dekoratës së lartë “Nderi i Kombit”.