Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 14:55

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dënoi të mërkurën forcërisht dhunën e ushtruar ndaj disa familjeve rome në fund të muajit shkurt dhe inkurajoi gjithë institucionet shtetërore, që të mbrojnë të drejtat legjitime të romëve, në mënyrë që ata të ndihen të barabartë mes të barabartëve, në një vend që aspiron të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane me të gjitha standardet e duhura.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, kreu i shtetit shqiptar priti sot në takim një përfaqësi të bashkësisë rome, të kryesuar nga Kryetari i Unionit të Romëve të Shqipërisë, Skënder Veliu, në përbërje të së cilës ishin drejtues të Shoqatës Kombëtare “Edukimi për Jetën”, juristë dhe mbrojtës të të drejtave të romëve nga shoqëria civile.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e bashkësisë rome vlerësuan vëmendjen dhe ndjeshmërinë e vazhdueshme të Kreut të Shtetit ndaj kësaj pakice etnike, pjesë e shoqërisë shqiptare prej më shumë se gjashtëqind vjetësh.

Ata parashtruan disa nga problemet më të mprehta, me të cilat përballen në jetën dhe veprimtarinë e tyre, ndërsa u ndalën në ngjarjen më të fundit, atë të shpërnguljes së detyruar të gati 300 anëtarëve të familjeve rome nga një zonë periferike e kryeqytetit.

Me këtë rast, përfaqësuesit e bashkësisë rome shtruan kërkesën për mbështetje dhe përkrahje më të madhe nga institucionet shtetërore përkatëse dhe gjetjen e mekanizmave të duhura ligjore dhe institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata kërkuan gjithashtu integrimin e tyre në jetën shoqërore të vendit, duke pasur parasysh strehimin, shkollimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Pasi i dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura prej tyre, Kreu i Shtetit tha se me identitetin, vlerat dhe traditat e vyera që përçon, bashkësia rome meriton jo vetëm të gëzojë të gjitha të drejtat legjitime të barabarta me çdo qytetar të Shqipërisë dhe të garantuara në Kushtetutë, por edhe të integrohet plotësisht në jetën shoqërore.

Në këtë drejtim, Topi u ndal te rëndësia e ndërrmarrjes së veprimeve dhe të masave konkrete në këtë drejtim, si dhe të një përfaqësimi dinjitoz e institucional të interesave të tyre.

Pasi dënoi dhunën e ushtruar ndaj disa familjeve rome dhe sidomos ndaj fëmijëve në fund të muajit shkurt, Topi tha se “në një vend demokratik, të çliruar nga çdo lloj paragjykimi si Shqipëria, ku ekziston bashkëjetesa dhe harmonia shoqërore mes të gjitha komuniteteve edhe bashkësia rome duhet të ndihet më e mbështetur dhe më e përkrahur nga shteti”.