Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 12:44

Prishtinë – Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli të hënën arrin në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore, i ftuar nga Presidenti Bamir Topi.

Kjo është vizita e tij e parë jashtë Kosovës, pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit.

Kreu i Republikës së Kosovës do të pritet paraditen e së hënës në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Topi, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim sy më sy dhe më pas do të dalin në konferencë për shtyp.

Presidenti Pacolli do të ketë takime të veçanta edhe me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë vizitës së tij ai do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse parlamentit shqiptar.

Presidenti Pacolli do të takohet dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili do t’i dhurojë Çelësin e Qytetit.

Në ditën e dytë të vizitës së tij (22 mars) në Shqipëri, President Pacolli do të takohet me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.

Pas ceremonisë së vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në Monumentin “Nënë Shqipëri”, Presidenti i Kosovës do të jetë i pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës ku do t’i dorëzohet çmimi “Honoris Causa”.

Agjenda e tij vijon me pjesëmarrjen në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Kosovë, për t’u pasuar nga një vizitë në qytetin e Krujës ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli do të vendosë dhe një kurorë në Varrin e Skënderbeut në qytetin e Lezhës.